Modifikuan makinat për të futur naftë kontrabandë nga Maqedonia, 8 në pranga
Janë arrestuar në Pogradec tetë persona, të cilët kontrabandonin naftë nga Maqedonia për ta shitur në Shqipëri.
Policia tha se janë arrestuar tetë persona të moshës 30-60 vjeçare, banues në Pogradec dhe në Korçë. Vasil Bardhi, Rexhep Elmasllari, Enrik Muçollari, Alban Seitllari, Mihal Qazollari, Eneris Elmasllari, Krenar Hoxha dhe Marsel Ymer u arrestuan në flagrancë pas një hetimi disa mujor, nisur në tetor 2016.
Ata kishin modifikuar depozitat e naftës duke shtuar depozitë tjetër për të marrë sasi nafte më të madhe në shtetin Maqedonas. Nafta më pas shitej në Shqipëri ku çmimi është më i lartë.
Ata e depozitonin sasinë e naftës së futur kontrabandë në dy ambiente të ndodhura në fshatin Mëmëlisht dhe në fshatin Grabovicë.
Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar 6 automjete që përdoreshin për të futur naftë kontrabandë, si dhe një sasi rreth 1500 litra naftë e ndodhur nëpër bidonë plastikë e cila është futur kontrabandë nëpërmjet Pikës së Kalimit Kufitar të Qafë-Thanës./tvklan.al