Rusia pezullon marrëveshjen që parandalonte konfrontimin me amerikanët në Siri


Rusia pezullon marrëveshjen që parandalonte konfrontimin me amerikanët në Siri

13:19 07/04/2017

Rusia ka reaguar ashpër pas sulmit amerikan ndaj regjimit sirian. Moska njoftoi pezullimin e një marrëveshje koordinimi të avionëve rusë dhe amerikanë mbi Siri, që parandalonte çdo konfrontim të mundshëm mes dy superfuqive botërore.

Ministria ruse e Punëve të Jashtme tha se pasi Trump urdhëroi goditjen e Sirisë me 59 raketa Tomahawk, Kremlini kishte vendosur pezullimin e memorandumit që mundësonte shmangien e incidenteve dhe sigurinë e avionëve luftarakë në Siri.

Sipas atij memorandumi të nënshkruar në vjeshtën e vitit 2015 kur Rusia nisi sulmet ajrore kundër Shtetit Islamik , SHBA-të dhe Rusia informonin njëra-tjetrën për fluturimet mbi Siri dhe bombardimet kundër grupit terrorist.  

Kjo marrëveshje ishte vlerësuar lart nga një sërë pilotësh amerikanë për faktin se i mbronte ata nga çdo konfrontim apo përplasje e mundshme me pilotët rusë.

Presidenti rus, Vladimir Putin, reagoi ashpër pas urdhrit të Trump për të sulmuar Sirinë, duke thënë nëpërmjet zëdhënësit të tij se ky ishte “agresion ndaj një shteti sovran” she se Amerika po shkelte të drejtën ndërkombëtare me këtë sulm./tvklan.al






Të ngjashme