Basha: 7 Maji, prova për të mos lejuar zgjedhje të kapura nga krimi
Lulzim Basha zbardhi detaje të negociatave për dialog me Kryeministrin Edi Rama, për të hedhur poshtë deklaratat e bëra nga kreu i qeverisë, se ishte Basha ai që u tërhoq prej tyre.
“Lëri lojrat e fjalëve, dialogun e dakordësuam ditën e mërkurë, 6 ditë përpara, u ra dakord se do të flitej për formimin e qeverisë teknike dhe për mandatin e saj. Të nesërmen e deri sot ekipi negociues i opozitës ka qënë në gatishmëri për të përgatitur një dialog të vërtetë në funksion të zgjidhjes. Vend dhe orë nuk ka patur dhe nuk mund të kishte, sepse dialogu i vërtetë nuk kanë nevojë vetëm për vendin dhe orën siç takohen të dashurit”.
Në ditën e 53 të protestës, Basha ripërsëriti se qeveria teknike mbetet kushti i pandryshuar i tryezës së dialogut.
“Meqë dëshirën për të ardhur në çadër e ke shprehur shumë herë, eja me dorëheqjen në xhepin e xhaketës dhe ne do të presim paqësisht. Nuk mund të bëjmë ne lojra fjalësh, do të hyjë si kryeministër në dialog po do të dalë nga dialogu si kryeministër i dorëhequr që i hap rrugën qeverisë teknike me mbështeje të gjerë politike”.
Provën e parë të rezistencës qytetare, se opozita nuk do të lejojë zgjedhje të kapura nga krimi tha se do ta japë në 7 Maj në Kavajë.
“Iku Rroshi e tani kandidojnë zëvendësin e tij, asgjë nuk ndryshon. Zgjedhje dhe votime të diktuara nga krimi me zv/kriminelë si kandidatë ka mbaruar dhe provën do ta keni në përballjen kombëtare në 7 Maj.”
Mirënjohjen për mbështetjen e kauzës për zgjedhje të lira Basha ia njohu edhe kreut të LSI-së, ndërsa aleatët e opozitës shkuan më tej teksa e ftuan Metën të tërheqë ministrat nga qeveria.
Tv Klan