Ulja e TVSH për Turizmin, Rama takon sipërmarrësit
Uljen e TVSH për turizmit nga 20 në 6 %, Kryeministri e sheh si një hap që do të ndikojë që prej këtij viti në rritjen e numrit të turistëve. Për të promovuar politikat e reja mbështetëse për këtë sektor, Rama zgjodhi të vizitojë një biznes vendas që operon prej vitesh kryesisht në turizmin malor. Kryeministri zbulon se marrëveshja me FMN ishte arsye përse ky premtim i hershëm realizohet vetëm tani.
“Ne e kishim këtë objektiv (uljen e taksës) prej kohësh, por nuk mund ta bënim që në fillim sepse ishte problemi i ristrukturimit të financave. Dhe marrëveshja me FMN ishte që të mos bënim përjashtime. Qartësisht dhe shifrat e tregojnë që çdo vit ka një rritje të turizmit. Ishim jashtë konkurrence sepse gjithë rajoni e ka nën 10 %, ndërsa ne e kishim 20 % taksën dhe kjo e rriste shumën e informalitetit. Tani ne e bëmë 6 % dhe kemi shifrën më të ulët në rajon, kjo do të ndikojë në rritjen e klientelës”.
Përveç turizmit elitar qeveria duket se ka plane të nxisë dhe turizmin e aventurës dhe një nga projektet në këtë fushë e zbulon Kryeministri.
“Ne kemi një projekt, duam të bëjmë një muze nënujor me monumente, me skulpturat e realizmit socialist, që t’i marrim të gjitha dhe t’i vendosim nën ujë, d.m.th. një muze arti nën ujë. Duhet të vizitohet vetëm duke u zhytur. Realizimi i saj do të jetë një gjë shumë spektakolare. Nëse do ta realizojmë këtë muze do të jetë në turizmin e aventurës një element shumë i veçantë. Nuk është vetëm për sportistë, por është për të gjithë njerëzit. Me ju duam të konsultojmë për vendin se ku mund ta ndërtojmë”.
Projektligji për uljen e TVSH për sektorin e turizmit kaloi në qeveri javën e shkuar dhe ndërkohë pritet të marrë dhe miratimin e Kuvendit.
Tv Klan