Video/ Papa Françesku i lan dhe i puth këmbët shqiptarit
Papa Françesku ka vazhduar traditën e mëhershme duke kryer ritualin e Javës së Shenjtë, i cili nënkupton larjen e këmbëve për të penduarit në burgje. Ai dje zgjodhi të vizitonte burgun e vendosur në fortesën e shekullit të XVI në Paliano, rreth 75 km në jug të Romës, vendi që mban prapa hekurave të penduarit e mafias.
Françesku mbajti një meshë përpara rreth 70 të burgosurve atje. Pjesë e shërbesës ishte dhe larja e puthja e këmbës së djathtë të 12 të dënuarve, gjest ky që kremton përulësinë e treguar nga Jezu Krishti ndaj 12 apostujve të tij natën përpara se të vdiste në kryq.
Vatikani sqaroi se 3 prej këtyre personave ishin gra. Një prej të dënuarve ishte shqiptar, 10 të tjerë italianë dhe i fundit, një argjentinas nga vendlindja e Papës, i cili i pati dërguar dhe një letër Atit të Shenjtë.
Dy prej këtyre njerëzve janë dënuar me burgim të përjetshëm, ndërsa të tjerët duhet të lirohen ndërmjet 2019-s dhe 2073-shit.
Burgu i sigurisë së lartë i është rezervuar thuajse tërësisht të burgosurve që njihen në Itali si bashkëpunëtorë të drejtësisë. Shumica e tyre janë ish-pjesëtarë të tre grupeve më famëkeqe të krimit të organizuar në vend, Cosa Nostra, Camorra dhe Ndrangheta.