Gruevski fajëson LSDM-në për situatën në Maqedoni


Gruevski fajëson LSDM-në për situatën në Maqedoni

10:56 28/04/2017

Lideri i VMRO DPMNE dhe ish-kryeministri Nikolla Gruevski, në orët e hershme të mëngjesit ka theksuar se VMRO DPMNE nuk ka asnjë lidhje me dhunën e ushtruar, teksa në krahun tjetër fajësoi LSDM-në dhe liderin e saj, Zoran Zaev për situatën në vend.

Ai u ka bërë thirrje organeve përkatëse që sa më shpejtë të ndriçojnë rastin në fjalë, ndonëse për dhunën e ushtruar në Parlament ka fajësuar LSDM-në.

“E dënoj mënyrën se si Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë dhe partitë e tjera që e mbështesin vendosën që të përpiqen që në mënyrë joligjore të zgjedhin kryetar të Parlamentit të Maqedonisë duke i shkelur në formë eklatante të gjitha procedurat ligjore dhe demokratike dhe me vetëdije kontribuan në rritjen e tensioneve dhe polarizimin e shoqërisë sonë”,

 

ka theksuar Gruevski, i cituar nga “Radio Evropa e Lirë”.

Ai tha se duhet të mbështetet iniciativa e presidentit të shtetit Gjorgje Ivanov për realizimin e një takimi mes liderëve të partive kryesore politike për gjetjen e një zgjidhjeje për kapërcimin e situatës së krizës së thellë politike.

Por, kryetari i porsazgjedhur i Parlamentit të Maqedonisë, Talat Xhaferi, tha se grusht-shtet ka bërë pikërisht VMRO DPMNE duke i mbajtur të uzurpuara institucionet.

“S’do mend se populli nuk mund të jetë puçist. Puçist janë ata të cilët për aq kohë të gjatë i kanë uzurpuar institucionet dhe nuk lejonjnë të konsolidohen organet e parlamentit”,

 ka theksuar kryetari i Parlamentit të Maqedonisë Talat Xhaferi./REL






Të ngjashme