Turqia në një tjetër valë spastrimesh administrative
Në Turqi u ndërmor një tjetër valë spastrimesh masive në lidhje me grushtin e dështuar të shtetit të vitit të kaluar. Këtë herë gati 4 mijë persona janë larguar nga pozicionet e tyre për shkak të dyshimeve për lidhje me Fetullah Gylen.
Mes të larguarve janë 1 mijë punonjës të ministrisë së Drejtësisë, pothuaj po aq të tjerë nga stafi i ushtrisë.
Ndërkohe vetëm të mërkuren që kaloi 9 mijë njerëz të tjerë u larguan nga puna dhe 1 mijë u arrestuan për të njëjtat dyshime.
Qeveria turke tha se të gjithë të larguarit nga puna dyshohen për lidhje me organizata apo struktura terroriste që përbejnë rrezik për sigurinë e vendit.
Paralelisht, me anë të një dekreti Turqia vendosi të ndalojë të gjitha spektaklet televizive që kishin në qendër krijimin e lidhjeve dashurore.
Sipas autoriteteve turke, këto emisione nuk përputhen me traditën e vendit dhe dëmtojnë institucionin e familjes.
Te shtunën, shteti turk bllokoi aksesin në enciklopedinë online Wikipedia.
Veprimet e fundit vijnë pasi presidenti Erdogan fitoi me rezultat të ngushtë referendumin që i jep presidentit më tepër fuqi. Kritiket e tij thonë se vendi po rreshket drejt autoritarizmit dhe konservatorizmit islamik.
Tv Klan