Sekuestrohen apartamente dhe prona në Vlorë


Sekuestrohen apartamente dhe prona në Vlorë

15:16 01/05/2017 https://youtu.be/c7Wwchn4bpk

24 apartamente, 32 % e një pallati dhe 6095 metra katrorë truall janë sekuestruar nga Gjykata me kërkesë të Prokurorisë  së Vlorës në qendër të qytetit bregdetar.

Sipas hetimeve këto pasuri janë krijuar në bazë të dokumetave të falsifikuara.  Kallëzimi për këtë rast është bërë nga dy persona të cilët kanë akuzuar përfituesin e pasurive për përvetësimin e sipërfaqes prej 10 mijë metra katrorë. Është faktuar me anë të ekspertimit-teknik  se është falsifikuar vërtetimi i pronësisë i vitit 1993.

Më pas trualli  është ndarë dhe tjetërsuar me qëllim fshehjen e origjinës së paligjshme, si dhe është spostuar duke përdorur dokumentin e mësipërm. Mbi këtë pronë më pas u ndërtuan 2 pallate dhe për një pjesë të tyre Prokuroria kërkoi sekuestron. Gjatë kësaj kohe këto pasuri nuk mund të tjetërsohet. Pas kryerjes së veprimeve të tjera hetimore pritet që Prokuroria të kërkojë konfiskimin e tyre.

Tv Klan

Njoftimi i Prokurorisë:

Prokuroria e Vlorës ka sekuestruar rreth 6100 m2 truall, 24 apartamente të një pallati dhe 32 përqind të një pallati tjetër në qendër të qytetit, të dyshuar se janë pasuri të krijuara në  bazë të dokumenteve të fallsifikuar.

Prokuroria e Vlorës ka nisur hetimin, bazuar në kallëzimin e dy shtetasve. Nga hetimi i këtij procedimi penal ka rezultuar se shtetasi Lavdosh I., ka regjistruar mbi bazën e dokumenteve të falsifikuara një sipërfaqe trualli prej rreth 10.000 m2. Origjina e kësaj prone bazohet në dokumentin “Vërtetim pronësie, datë 04/09/1993”, lëshuar nga Përgjegjësi i Seksionit të Kadastrës pranë Këshillit të Rrethit Vlorë. Bazuar në aktin e ekspertimit tekniko-grafik, rezulton se ky dokument është i falsifikuar. Rezulton e provuar se sipërfaqja e pronës së regjistruar është ndarë dhe tjetërsuar me qëllim fshehjen e origjinës së paligjshme, si dhe është spostuar duke përdorur dokumentin e mësipërm. Pas kryerjes së veprimeve juridike mbi këtë pronë, rezulton se mbi dy pasuri janë ndërtuar dy objekte, e konkretisht një objekt tetëkatësh dhe një objekt njëmbëdhjetëkatësh.

Pas identifikimit të të gjitha pasurive të regjistruara mbi bazën e dokumenteve të falsifikuara, si dhe pasurive të regjistruara në emër të shtetasit Lavdosh I. dhe mbi bazën e kërkesës së prokurorit, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë, ka vendosur:

Caktimin e masës së sigurimit pasuror “sekuestro preventive”, për pasuritë e paluajtshme të mëposhtme, në total:

–           6095 m2 sipërfaqe trualli,

–           32% të një pallati 11-katësh,

–           24 apartamente dhe njësi shërbimi në një pallat 8-katësh

/tvklan.al

 






Të ngjashme