May: BE tenton të ndikojë në zgjedhjet britanike
Bashkimi Europian po kërcënon Britaninë e Madhe dhe po tenton të ndikojë në zgjedhjet e 8 qershorit. Deklarata e fortë vjen nga kryeministrja britanike Theresa May.
Theresa May (kryeministre e Britanise se Madhe): “Kërcënimet ndaj Britanisë janë bërë nga politikanë dhe zyrtarë europianë. Këto veprime kanë si synim ndikimin në rezultatin e zgjedhjeve të përgjithshme. Ne nuk duam të dëmtojmë marrëdhëniet me aleatët tanë dhe shpresojmë në suksesin e Bashkimit Europian. Por ngjarjet e ditëve të fundit tregojnë se pavarësisht asaj çka dëshirojmë ne, ka disa në Bruksel që nuk duan që bisedimet të vijojnë.”
Kryeministrja May u akuzua nga kreu i laburistëve Jeremy Corbyn se po luan me bisedimet për Brexit, me qëllim fitoren në zgjedhje. Më e ashpër ishte kryeministrja skoceze, Nikola Sturgeon, e cila tha se May është e papërgjegjshme dhe po tenton të helmojë atmosferën me Brukselin.
Përplasja mes Mbretërisë së Bashkuar dhe Bashkimit Europian vjen pas refuzimit të Londrës për të paguar faturën e kripur prej 60 miliardë eurosh për shkëputjen nga Brukseli.
Kjo shumë, sipas Financial Times, është rritur nga 60 në 100 miliardë Euro, në bazë të përllogaritjeve e fundit. Nëse çështja mes palëve nuk do të zgjidhet, ajo mund të përfundojë deri në Gjykatën Europiane të Drejtësisë.
Tv Klan