Lirohet gazetari Kastriot Myftaraj


Lirohet gazetari Kastriot Myftaraj

11:45 10/05/2017 https://youtu.be/xIJEPcnLHgY

Një ditë pas arrestimit, prokuroria urdhëron lirimin e gazetarit dhe juristit Kastriot Myftaraj. 51-vjeçari nga Tirana u akuzua për botimin e një shkrimi ku bën thirrje të hapura për të kryer vepra të dhunshme kundër rendit kushtetues.

Bëhet fjalë për një shkrim kundër ambasadores së BE në Tiranë, Romana Vlahutin, i postuar fillimisht në rrjetet sociale prej Myftarajt dhe më pas të botuar në disa media online. Myftaraj e akuzon ambasadoren e BE-së në Tiranë se ka punuar kundër interesave të Shqipërisë, kundër Kushtetutës dhe integrimit të vendit tonë.

Nisur nga këto thotë Myftaraj, çdo shqiptar që do atdheun e vet mund ta vrasë Romanën dhe ky do të ishte një akt antiterrorist, jo terrorist. Kjo deklaratë sipas policisë bie ndesh me nenit 223 te Kodit Penal që sipas policisë është thirrje publike për veprime të dhunshme.

Ajo për të cilën akuzohet Myftaraj dënohet me gjobë ose me burgim deri në 3 vjet. Por prokurori të cilit iu referua çështja nuk është bindur me provat e policisë. Ai ka kërkuar lirimin e Myftarajt për mungesë të provave./TV KLAN 

***

Kastriot Myftaraj, gazetari dhe juristi i njohur është arrestuar të martën nga Policia e Shtetit, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit gjyqësor të Tiranës.

Burime zyrtare sqarojnë se arrestimin i 51 – vjeçarit erdhi pasi ai ka botuar në media një shkrim ku bën thirrje të hapura, sipas policisë, për të kryer vepra të dhunshme kundër rendit kushtetues.

“Ai akuzohet për thirrje publike për veprime të dhunshme”,

theksohet në njoftimin zyrtar të policisë, ndërsa sqarohet se për thirrje të tilla, parashikohet një dënim me gjobë ose me burgim deri në tre vjet./tvklan.al






Të ngjashme