Sekretari i OSBE uron Metën
Sekretari i Përgjithshëm i OSBE-së, Lamberto Zannier, ka uruar Presidentin e zgjedhur Ilir Meta. Përmes një telegrami, Zannier ka vlerësuar bashkëpunimin e shkëlqyer që OSBE ka pasur me Kuvendin e Shqipërisë nën drejtimin e Kryetarit Meta. Gjithashtu, Zannier zotohet se përmes institucioneve të saj dhe prezencës në Shqipëri, OSBE mbetet e angazhuar të bashkëpunojë ngushtë me autoritetet kombëtare dhe për të mbështetur Shqipërinë në procesin e reformave.
Urimi i plotë i Lamberto Zannier:
“Shkëlqesia Juaj, Ju lutem pranoni urimet e mia të ngrohta për zgjedhjen tuaj President i Republikës së Shqipërisë. Ju merrni këtë detyrë në një moment të rëndësishëm për rajonin e për gjithë Europën, dhe përfitoj nga rasti t’ju uroj sa më shumë sukses. E vlerësoj bashkëpunimin e shkëlqyer që ne kemi pasur me Kuvendin e Shqipërisë nën drejtimin tuaj, duke përfshirë edhe takimit tonë të fundit në Tiranë në 2015-n. Përmes institucioneve të saj dhe Prezencës në Shqipëri, OSBE mbetet e angazhuar të bashkëpunojë ngushtë me autoritetet kombëtare dhe për të mbështetur vendin tuaj në procesin e reformave. Shkëlqesia Juaj, ju lutem pranoni konsideratën time më të lartë.”/
tvklan.al