Reagimet pas rrëzimit të qeverisë Mustafa


Reagimet pas rrëzimit të qeverisë Mustafa

15:02 10/05/2017

Menjëherë pasi Kuvendi i Kosovës miratoi mocionin për rrëzimin e qeverisë, që e çon vendin në zgjedhje të parakohshme, kanë reaguar krerët e partive opozitare.

Fatmir Limaj, duke folur për gazetarët e konsideroi mocionin të suksesshëm, ndërsa nuk preferoi t’i përgjigjej pyetjes nëse rrëzimi i qeverisë së Isa Mustafës u bë me ndihmën e PDK.

Ne nuk bëjmë nisma jo serioze, përfundimisht ky mocion doli i suksesshëm, ne presim sipas afatit ligjor që vendi të shkojë në zgjedhje. Sot më mbështetën deputetët e Parlamentit, i falenderoj të gjithë ata që kanë votuar për këtë mocion”.

Lëvizja Vetëvendosje publikoi një fotografi në rrjetet sociale duke thënë se koha e saj po vjen.

“Ndryshimi në Kosovë po vjen. Është koha e Vetëvendosjes. Urime Kosovë!”

Ndërsa shefi i Grupit Parlamentar të VV, Glauk Konjufca tha se rrëzimi i qeverisë është në interes të qytetarëve kosovarë. 

“Vetë këta çka kanë thënë ata për njëri-tjetrin është e mjaftueshme për të parë se çfarë qeverisje ka qenë. Ne kemi pasur kontaktet tona me shumë subjekte dhe po e shqyrtojmë mundësinë se cili do të ishte partneri ynë. Po të vazhdonte në këtë përbërje Qeveria mendoj që kostoja do t’i rritej PDK-së në zgjedhjet e ardhshme. AAK dhe NISMA kanë paraqitur mocion kur e kanë kuptuar se i kanë numrat dhe ne i kemi përkrahur pasi do të ishte hipokrizi që të mos e përkrahim rrëzimin e qeverisë së kryeministrit Mustafa. Rrëzimi i Qeverisë është në interes të qytetarëve”.

Edhe Presidenti i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli me një status në rrjetet sociale komentoi rrëzimin e qeverisë.

“Ikën edhe këta, ashtu siç erdhën – me intriga”,

shkruajti Pacolli.

Ndërkohë pritet që Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj të mbajë një konferencë të jashtëzakonshme për shtyp.

Më 78 vota vota pro, 34 kundër dhe 3 abstenime, Kuvendi votoi këtë të mërkurë rrëzimin e qeverisë Mustafa. Sipas Kushtetutës, vendi do të shkojë në zgjedhje të parakohshme brenda 45 ditëve. Do të jetë Presidenti Hashim Thaçi që do të përcaktojë datën kur do të zhvillohen zgjedhjet./tvklan.al






Të ngjashme