Kërkesa e opozitës, Kolegji Zgjedhor mblidhet në 18 Maj
Kolegji Zgjedhor do të mblidhet në 18 maj në orën 12.00 për të shqyrtuar kërkesën padinë e depozituar një ditë më parë nga Partia Agrare Ambjentaliste për rrëzimin e vendimit të KQZ-së për pranimin e listave të kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e 18 Qershorit jashtë afatit të përcaktuar në kodin zgjedhor.
Pesë gjyqtaret që do të shqyrtojnë çështjen janë: Artur Malaj; Tomorr Shkreli; Ridvan Hado; Gjin Gjoni; dhe Sotiraq Lubonja, ndërsa relator i çështjes do të jetë gjyqtari Gjin Gjoni.
Në kërkesë-padinë e dorëzuar në gjykatë nga aleati i vetëm i opozitës, i regjistruar në KQZ, Partia Agrare Ambjentaliste e Agron Dukës thuhet se, regjistrimi i kandidatëve për deputetë nga ana e KQZ-së është bërë përtej afatit të përcaktuar në kodin elektoral që sipas opozitës ishte data 28 prill.
Por, kryetari i KQZ-së Denar Biba përmes një postimi në rrjetet sociale shkruan se kërkesa e PAA-së nuk legjitimohet që të paraqesë ankim në kolegjin zgjedhor, me argumentin se kjo parti u regjistrua në zgjedhje pa paraqitur një listë kandidatësh dhe se më pas paraqiti një tjetër kërkesë për tu ç’regjistruar. Sipas kreut të KQZ-së automatikisht PAA-ja nuk mund të konsiderohet si subjekt zgjedhor.
Në kundërpërgjigje, nënkryetari i Komisionit të Ligjeve, demokrati Oerd Bylykbashi përmes një deklarate për mediat thotë se PAA-ja është subjekt zgjedhor i regjistruar sipas procedurës së përcaktuar nga neni 64. i kodit zgjedhor dhe si subjekt zgjedhor me vendim KQZ-je ka të gjitha të drejtat ankimore që i jep ligji elektoral.
Sipas Bylykbashit një parti e regjistruar nga KQZ është subjekt zgjedhor dhe ka të drejta ankimore deri në fund. Por nëse nuk ka listë, ai subjekt zgjedhor thjeshtë nuk regjistrohet në fletën e votimit që është akti përmbyllës për votimin, shkruan Bylykbashi.
/Tv Klan