
Zv/kryeministri dhe emrat e ministrave teknike
Deri të dielën, Kryeministri Edi Rama pritet të njihet me propozimet e Partisë Demokratike për emrin e Zv/kryeministrit dhe 6 ministrave teknikë, të cilët do të jenë pjesë e kabinetit të riformatuar qeveritar, sipas marrëveshjes politike të firmosur mes dy palëve më 18 Maj, të bazuar në paketën “McAllister Plus”.
Pjesë e listës që do të shkojë në zyrën e kreut të qeverisë për të marrë miratimin e tij do të jenë edhe propozimet për Kryetarin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Avokatin e Popullit, si dhe emrat e krerëve të disa drejtorive që u lanë për t’u propozuar nga opozita.
Burimet pranë selisë blu thonë se për daljen me propozime konkrete, Lulzim Basha është në konsultim të vazhdueshëm me aleatët e opozitës dhe strukturat drejtuese të Partisë Demokratike.
Pasi të ketë marrë dakordësinë e këtyre të fundit, emrat e përzgjedhur do t’i dërgohen Kryeministrit Edi Rama.
Nëse ai do të bjerë dakord me këto propozime, atëherë lista me emrin e Zv/kryeministrit dhe ministrave teknikë do t’i dërgohet menjëherë për dekretim Presidentit të Republikës.
Pasi kreu i shtetit të shprehet me dekret, finalizmi i marrëveshjes që nënkupton votimin e ndryshimeve në parlament do të bëhet në një seancë të jashtëzakonshme në parlament, në të cilën do të votohen edhe Komisionet e Vetting-ut sipas dakordësisë mes dy palëve.
Mbajtja e seancës plenare nuk është vendosur ende, por me shumë gjasë, Kuvendi pritet të mblidhet në fillim të javës që vjen.
Tv Klan