Plagosja e nënoficerit/Një i dyshuar shpallet në kërkim, policia heton disa pista


Plagosja e nënoficerit/Një i dyshuar shpallet në kërkim, policia heton disa pista

12:15 21/05/2017 https://youtu.be/ItgMnmJ6tc8

Një 23 – vjeçar, nënoficer i një reparti ushtarak në Bashkinë e Vaut të Dejës në Shkodër u plagos nga një i njohur i tij, mbrëmjen e të shtunës, pas një debati për motive ende të panjohura.

Emiljan Zefi u qëllua armë zjarri në këmbë nga Pashk Gjoni, 20 – vjeç. Ky i fundit u shpall në kërkim nga policia me akuzën e vrasjes së mbetur në tentativë.

Ngjarja ndodhi pranë një reparti ushtarak, ku edhe punonte i plagosuri.

Nga burime policore mësohet se dy të rinjtë kanë qenë së bashku në një nga lokalet e zonës, ku kanë debatuar mes njëri – tjetrit dhe më pas janë larguar qetësisht nga lokali, për t’u ritakuar pak minuta më pas në segmentin rrugor Vau Dejës-Hajmel.

Aty kanë nisur të debatojnë dhe 20 – vjeçari ka nxjerrë një pistoletë që e kishte me vete dhe ka qëlluar.

Ishte i plagosuri ai që u tregoi policëve ngjarjen.

Shkaqet e saj nuk dihen, por burimet e policisë thonë se po hetohet në një pistë që lidhet me motive të dobëta.

Gjithashtu dyshohet se dy të rinjtë janë përfshirë në aktivitete të paligjshme.

23 – vjeçari Zefi ka marrë plagë të rëndë në këmbë dhe plumbi i ka prekur arterien kryesore duke i shkaktuar humbje të mëdha gjaku.

Pas trajtimit të parë mjeksor në Shkodër, ai u dërgua në spitalin e Traumës në Tiranë për trajtim më të specializuar, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Tv Klan






Të ngjashme