Blindohet Britania, 1 mijë ushtarë në rrugët e Londrës


Blindohet Britania, 1 mijë ushtarë në rrugët e Londrës

08:20 25/05/2017

Tre ditë pas masakrës në Manchester, Britania e Madhe blindohet nga forcat e armatosura dhe shpall nivelin “kritik” të alarmit, shkalla maksimale e sigurisë në vendin ishullor.

Një mijë ushtarë të armatosur rëndë u vendosën në institucionet kryesore në Londër, në Pallatin Mbretëror, ndërtesën e parlamentit dhe në rezidencën e kryeministres May, në Downing Street, etj.

Masat e jashtëzakonshme u morën pas sinjalizimeve nga policia e Manchesterit se terroristi që kreu masakrën, Salman Abedi, ishte pjesë e një rrjeti të strukturuar xhihadist dhe se vendi është sërish në shënjestrën terroriste.

Ministrja e Brendshme, Amber Rudd, tha se sulmi ishte i sofistikuar dhe se në banesën e terroristit nuk u gjet asnjë gjurmë eksplozivi, çka shton dyshimet se ai është ndihmuar nga persona të tjerë.

Të mërkurën policia vuri në pranga 3 persona të tjerë, mes tyre edhe vëllain e Abedi, duke e çuar në 4 numrin e të arrestuarve.

Salman Abedi ishte i njohur nga shërbimet inteligjente MI5. “The Sun” shkruan se 22-vjeçari ishte trajnuar në kampet xhihadiste gjatë udhëtimeve në Siri.

Shërbimet sekrete britanike vihen në lupën e kritikave për faktin se terroristi ishte sinjalizuar si person me prirje xhihadiste rreth 2 vite më parë.

22 persona mbetën të vrarë, pjesa më e madhe e tyre të mitur, dhe rreth 60 të tjerë u plagosën në sulmin gjakatar të Salman Abedi, 22-vjeçarit britanik me origjinë libiane, i kthyer në një ushtar të Shtetit Islamik. Autoritetet konfirmuan se mes viktimave është edhe janë oficerë policie.

Tv Klan






Të ngjashme