Celulari i shpëton jetën gruas në sulmin e Manchesterit


Celulari i shpëton jetën gruas në sulmin e Manchesterit

21:36 25/05/2017

Telefoni celular besohet se i ka shpëtuar jetën një gruaje që u kap në shpërthimin e Manchesterit të hënën, në të cilin humbën jetën 22 persona.

Lisa Bridgett po fliste në telefon pas koncertit të Ariana Grandes kur një pjesë çeliku e goditi duke i këputur një gisht para se metali të kalonte përtej telefonit në faqe duke përfunduar në pjesën e hundës.

“BBC” citoi bashkëshortin e saj Steve, sipas të cilit telefoni celular ka bërë që metali të devijojë dhe të ngadalësohet në mënyrë të konsiderueshme.

Sulmi vetëvrasës me bombë në Manchester Arena vrau 22 persona dhe plagosi 64 të tjerë. Tetë persona janë në paraburgim, si të dyshuar për lidhje me autorin, Salman Abedi.

Bridgett ishte në koncert me të bijën dhe shokun e saj. Bashkëshorti Steve tha se ajo ishte në humor të mirë dhe ndihej me fat që ishte gjallë.

Lisa Bridgett iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale të martën dhe do të hyjë sërish në sallën e operacionit sot, pasi ka shumë plagë në trup, përfshirë edhe një thyerje të kyçit të këmbës. /tvklan.al






Të ngjashme