
Shpërthim masiv në zyrat qeveritare, dhjetëra të plagosur
Një shpërthim masiv në mëngjesin e së mërkurës në zonën ku janë të vendosura misionet diplomatike në kryeqytetin afgan, la pas vetes dhjetëra të vrarë dhe shumë të plagosur.
Ministria e shëndetësisë i tha Zërit të Amerikës se sulmi la pas vetes më shumë se 80 të vrarë dhe mbi 350 të plagosur.
Shpërthimi goditi zonën Wazir Akbar Khan ku janë të vendosura misionet e huaja diplomatike dhe zyra qeveritare, duke shkatërruar shumë automjete dhe duke dëmtuar ndërtesat përreth. Sipas njoftimeve të para besohet se mjetet shpërthyese ishin fshehur në një kamion cisternë.
Nuk është e qartë se cila ishte shënjestra e sulmit, por një zyrtar afgan i sigurisë tha se shpërthimi ndodhi jo larg ambasadës gjermane dhe ndërtesës së kompanisë më të madhe të telefonisë celulare në vend.
Shpërthimi i së mërkurës ndodhi në një periudhë të shtimit të sulmeve të talibanëve mbi forcat afgane, ndërsa besnikët e grupit militant Shteti Islamik, kryen disa sulme gjatë muajve të fundit.
Dhuna e kohëve të fundit ndodhë në një periudhë kur presidenti afgan Ashraf Ghani, po përgatitet për një konferencë me vendet fqinje në Kabul javën që vjen për të diskutuar përfundimin e konfliktit në Afganistan.