Intervistë/ Fleckenstein: Nuk përjashtoj një qeveri koalicioni PS – PD pas zgjedhjeve
Raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Knut Fleckenstein, shpreh kënaqësinë për arritjen e marrëveshjes politike në Shqipëri, për të cilën ka kontribuar edhe ai. Në një intervistë për
ABC News
, Fleckenstein përshëndet fillimin e punës së Komisionit ad-hoc për Vetting -un dhe shpreh gatishmërinë për të nxitur hapjen e negociatave të anëtarësimit pas zgjedhjeve të 25 Qershorit.
Si e shihni ju marrëveshjen Rama-Basha? A mori Basha më shumë se ç’pritej, apo Rama lëshoi më shumë pe për të qëndruar në pushtet?
“Nuk më intereson fare. Vërtet nuk më intereson. Nëse Kryeministri dhe lideri i opozitës gjetën dakordësi për mënyrën se si të zhvillojnë zgjedhjet e përgjithshme dhe për të gjitha elementet e nevojshme që paraprijnë zgjedhjet, unë jam i kënaqur me këtë. Jam shumë i lumtur, që McAllister, Lee dhe ndoshta dhe unë kontribuam për këtë rezultat, pro në fund, ishin 2 bosët që vendosën se si do të vijojnë. Ky është një hap pozitiv dhe shpresoj që një dakortësi e tillë të arrihet pa asistencën tonë herën e ardhshme”.
Flitet që mund të ketë një koalicion midis Partisë Socialiste dhe asaj Demokratike pas zgjedhjeve. A është Shqipëria gati për koalicione të mëdha të qeverisjes së të majtës dhe të djathtës siç e kemi parë në vendin tuaj Gjermaninë, apo në Francë pas zgjedhjes së Presidentit Macron?
“Për mua, koalicionet e mëdha janë gjithnjë një përjashtim, edhe pse në Gjermani u bënë vite që vendi qeveriset nga një koalicion i madh. Nëse nuk do ketë asnjë alternativë tjetër për koalicion, atëherë një koalicion i tillë i madh, qoftë dhe teorikisht, mund të formohet. Pse jo?”
Do jeni pjesë a misionit vëzhgues të PE-së në Tiranë ?
“Jo, nuk do jem, por di që ka shumë kolegë që do shkojnë atje dhe jam i sigurtë që ata do bëjnë një punë të mirë. Unë do jem i lumtur të pres rezultatin dhe pastaj ne do vazhdojmë punën për integrimin e Shqipërisë në BE “.
Prioriteti juaj permanent ka qenë Reforma në Drejtësi, me fokus zbatimin e proçesit të Vetting -ut. A jeni i kënaqur me fillimin e punës së Komisionit ad-hoc ?
“Jam i kënaqur që një nga prioritetet e Kryeministrit ishte zbatimi i Vetting -ut dhe kjo ka filluar. Nuk ka dyshim që pas zgjedhjeve, puna për Vetting -un do vazhdojë. Kjo ishte dhe është parakusht për hapjen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe ne do të nxisim që kjo të bëhet sa më shpejt të jetë e mundur “.
A mendoni se ka garanci të mjaftueshme për zgjedhje të lira dhe të ndershme?
“Nuk e di nëse një kompromis i tillë ishte i nevojshëm, por tani që edhe partitë e opozitës shohin që kjo mund të arrihet, nuk kam se si t’a shoh ndryshe”.
/Abc News