Ekuador/ Ekzekutohet shqiptari me plumb pas shpine, dyshohet për pazare droge
Një shqiptar i identifikuar si Iler Hidri, u ekzekutua me armë zjarri pranë tregut të Bashkisë së Grau Ruiz, në periferi të Guayaquil, Ekuador. Lajmin e kanë transmetuar mediat lokale ekuadoriane.
36-vjeçari ishte duke ecur në pjesën jugore të qytetit dhe sapo zbriti nga makina u qëllua në shpinë nga një burrë i paidentifikuar në orën 8 të mbrëmjes të së martës. Autori u largua nga vendngjarja me motoçikletë dhe dyshohet se ka patur edhe një bashkëpunëtor. Policia po heton për lidhjet e mundshme që mund të ketë patur shqiptari kohët e fundit me persona të tjerë. Sipas dëshmitarëve, Hidri kishte veshur këmishë, pantallona të shkurtra dhe shapka me gisht. Atij iu gjetën tre telefona celularë dhe një sasi parash. Policia bastisi pronën që dyshohet se është marrë me qira nga viktima, por në emër të palëve të treta dhe gjatë kontrollit në banesë sekuestroi disa blloqe droge. Në këtë pjesë të qytetit, së bashku me rastin e shqiptarit bëhen tre raste të vrasjeve të të huajve brenda një viti./tvklan.al