Rikthimi emocionues i të resë që kaloi 3 vite si skllave seksi e ISIS-it
Aktivistja ezidi Nadia Murad është rikthyer në vendlindjen e saj tre vite pasi u mor si skllave seksi nga militantët e Shtetit Islamik (ISIS).
Aktivistja u rikthye në fshatin e saj në Irak, ku u prit me një ceremoni shumë emocionuese, ku shumë nuk i mbajtën dot lotët.
Nadia Murad u takua me të gjithë forcat e sigurisë dhe banorët. Media ndërkombëtare raporton se ISIS-i ka rrëmbyer më shumë se 7000 vajza dhe gra nga veri-perëndimi i Irakut, për t’i kthyer në skllave seksi.
Murad është një prej atyre që u rrëmbye në vitin 2014 dhe u përdhunua për vite me radhë në Mosul.
Pasi iu rikthye lirisë, aktivistja Murad është propozuar edhe si kandidate për Çmimin Nobel Për Paqe dhe është bërë Ambasadore e vullnetit të mirë e OKB-së.
Ajo nuk i mbajti dot lotët kur vizitoi ish-shkollën e saj në fshat dhe kujtoi se ende janë më shumë se 3500 gra që përdoren si skllave seksi nga militantët e ISIS-it.
“Mendonim se do të na vrisnin si djemtë, por në vend të kësaj na përdhunuan ushtarë të ISIS-it ardhur nga Europa, Arabia Saudite, Tunizia dhe shtetet e tjera”, tha ajo.
Aktivistja tha se në fund të këtij viti do të publikojë edhe librin e saj ku do të rrëfejë përjetimet e saj çnjerëzore./tvklan.al