Merkato për garat europiane


Merkato për garat europiane

15:57 02/06/2017

3 futbollistë, një për secilin repart po synon Kukësi si afrimet më të shpejta për të nisur përgatitjet për kualifikueset e Champions League. Klubi po kërkon një mbrojtës krahu. Një mesfushor fantazist dhe sigurisht një sulmues efektiv.

Burime pranë klubit bëjnë të ditur se presidenti Safet Gjici nuk do të kursehet, pasi ka oreks për arenën ndërkombëtare. Ndërkaq në Tiranë takimi mes presidentit Takaj dhe trajnerit Ilir Daja do të vendosë këtë të enjte, se cili do të jetë plani i Skënderbeut për afrimin e futbollistëve të rinj për të përballuar kupat europiane.

Burime nga klubi korçar bëjnë të ditur për TV Klan se trajneri dhe presidenti janë takuar këtë të enjte për të parë kohëzgjatjen e kontratave të futbollistëve.

Qëllimi është të përcaktojnë skuadrën me të cilën do të përfaqësohen në Europa League. Mësohet se në klubin korçare do të afrohet Doniet Shkodra, i flamurtarit. Bruno Dita i Teutës është shumë pranë, ndërkohë që klubi është në negociata me 3 futbollistë të tjerë.

Edhe Partizani është nën ethet e merkatos. Mësohet se të kuqtë duan të përfitojnë nga rënia e Tiranës për të tërhequr futbollistët që duan të luajnë në Superligë por edhe ata që kanë qenë të pakënaqur me drejtuesit e ekipit. Afrim Taku është synimi kryesor. Mesfushori njeh portën si dhe ka shfaqur më herët pakënaqësi me klubin. Klubet kanë filluar tratativat, por çdo gjë përkundin kur firmat hidhen në letër.

Tv Klan






Të ngjashme