12 arrestime, ISIS merr përgjegjësinë për sulmin në Londër
12 persona, të cilët dyshohet se kanë lidhje me sulmin terrorist të së shtunës mbrëma në Londër, janë vënë në pranga nga policia britanike.
Arrestimet erdhën pas kontrollit të një lagjeje në lindje të Londrës, ku jetonte njeri nga xhihadistët e ekzekutuar. Informacionet e dala nga hetimet benë të ditur se tre agresoret u qëlluan me më shumë se 50 plumba nga 8 efektive policie, pak çaste pasi u morën jetën 7 personave dhe plagosen 48 te tjerë.
Të dielën mbrëma, ISIS mori përgjegjësinë për sulmin.
Edhe pse të dhënat e bëra publike mbi identitetin e tre terroristeve janë të pakta, mediat britanike konfirmuan se autoritetet tashmë i kanë identifikuar ata.
Aktualisht, ekziston frika se numri i viktimave mund te rritet, pasi 21 nga 48 te plagosurit janë në gjendje të rënde. Tre xhihadistët po përshkonin me një furgon të bardhë Urën e Londrës kur janë futur mes këmbësorëve me shpejtësi rreth 90 km/h. Menjëherë më pas ata braktisen automjetin dhe te armatosur me thika u drejtuan ne tregun Borough ku hynë në dy restorante dhe plagosen disa klientë që darkonin.
Sipas të dhënave paraprake, terroristet ishin me origjine nga Mesdheu. Njeri prej tyre mbante veshur një jelek shpërthyes i cili, më vonë u konfirmua se ishte fals.
/Tv Klan