16:16 19/05/2014Këto janë pamje të godinave të prishura në Bazën e Forcave Ajrore në Kuçovë, për të cilat Gjeneral Brigade Syrja Gjoka, aktualisht me detyrën e Komandantit të Brigadës Logjistike, u arrestua nën akuzën për shpërdorim detyre, pas denoncimit të bërë ndaj tij nga Ministria e Mbrojtjes.Janë godina jofunksionale, të vjetra 50, 60 apo edhe 70 vjeçarë, këto të fundit të ndërtuara gjatë luftës së dytë botërore; si kjo këtu, një ndërtesë e kohës së pushtimit italian, që në letra figuron prej dekadash si ofiçinë.Dëm është llogaritur edhe prishja e kësaj godinë të shkatërruar që prej trazirave të vitit ’97, e cila, duket qartë sa e degraduar ka qenë.Dëm ndaj shtetit është llogaritur edhe prishja e kullës së vjetër të fluturimit, e ngritur para 40 vjetësh, që nuk përdorej prej kohësh. Dhe ndoshta dëm është llogaritur edhe një Zis i ndryshkur që nuk lëviz prej kushedi sa kohësh.Janë prishur, si pjesë e procesit të pastrimit të aerodromit, që është bërë në kuadër të shndërrimit të tij në bazën kryesore e stacionimit të helikopterëve, ku mendohet të dërgohen rreth 17 helikopterë të Forcave të Armatosura. Projekt ky i përbashkët dhe i miratuar më herët në partneritet me ushtrinë turke.Procesi pastrimit të aeroromit është ndjekur nga afër edhe nga atashe ushtarake si dhe përfaqesues të Departamentit Amerikan të Mbrojtjes, pranë Ministrisë sonë të Mbrojtjes, të cilët e patën përgëzuar gjeneral Gjokën për punën e bërë.Shembja e këtyre godinave të shkatërruara bëri të mundur krijimin e hapësirave të reja, të domosdoshme për një aerodrom modern të një vendi anëtarë të NATO -s.Nëse prishja e këtyrë godinave, të shkatërruara nga vitet dhe dora e njeriut përbëjnë vepër penale për shkatërrim të pasurisë shtetërore, atëherë e njejta gjë mund të thuhet edhe për garazhet prapa kryeministrisë që u shkatërruan muajt e fundit, për t’i lënë vendin një parku, që gjithsesi e ka hijeshuar këtë pjesë të kryeqytetit.Por dy standardet e zbatuara në dy raste thuajse të ngjashëm, bëjnë që një gjeneral në detyrë të arrestohet, madje duke shkelur edhe procedurën që duhet ndjekur në një rast të tillë.Oficeri i lartë pritet të bëjë ankimim në Gjykatën e Apelit, ku do të paraqesë edhe versionin dhe provat e veta për akuzat e ngritura ndaj tij.TV KLAN