Lindita Nikolla padit Ben Blushin për shpifje
"Po Lindita Nikolla kush është? Njeri që shiste çertifikata me lekë. Kush ishin këta. Nuk punohet me këta, janë mediokër”.
Kjo deklaratë publike Ben Blushit i ka mjaftuar ish-ministres së Arsimit Lindita Nikolla që të nisë procedurat e padisë për shpifje për kreun e LIBRA-s. Këtë padi e ka konfirmuar vet ish-ministrja Nikolla në një status në Facebook, duke sulmuar ashpër deputetin Blushi. Nikolla thotë se Ben Blushi sulmon dhe ofendon kolegët për përfitime politike, që të marrë vota për zgjedhjet e 25 qershorit. Ish-ministrja e Arsimit e ka cilësuar LIBRA-n parti fitimprurëse që nuk meriton të marrë asnjë votë. Përplasje Nikolla – Blushi ka pasur edhe në të kaluarën gjatë debateve në parlament ndërsa këtë herë ata duket se do të përballen në gjykatë. Statusi në facebook i ish-ministres së Arsimit Lindita Nikolla:Dua t’ju bëj me dije se sot kam nisur procedurën e padisë për shpifje për Ben Blushin. Nuk do t'i ndahem këtij shpifaraku profesionist, derisa ai të marrë dënimin e merituar në gjykatë. U bë e disata herë që njeriu më parazit që kam njohur në jetën time, më sulmon paturpësisht me gojën e tij të shthurur nga ligësia e mediokritetit.
Një karrierist i llastuar nga jeta, që tri herë u bë ministër dhe tri herë u largua nga detyra pa bërë asnjë punë, nuk mund të shitet sot si politikë e re, pas 20 vitesh në korridoret e pushtetit. Një personazh i pangopur, që i kërkonte ministrave “mediokër” të Edi Ramës, favore.
Kur ky njeri e pa që nuk i’u hapën dyert për çudirat që kërkonte, me ngulmin e njeriut parimor, filloi sulmin e mllefit kundër Edi Ramës dhe ministrave “mediokër”. Kam vendosur ta ndjek deri në fund në rrugë gjyqësore këtë njeri që sot e gjithë kohën do të mbahet mend në Ministrinë e Arsimit, si ministri i arrogancës dhe asgjësë.
Ky gojëlig që shantazhonte kolegët për të nxjerrë, siç e quan edhe vetë pa pikën e turpit, fitimet nga aksionet e veta politike, nuk mund të jetë destinacion për besimin e votuesve që nuk e njohin. Ky njeri ka krijuar partinë e vogël fitimprurëse të radhës, duke premtuar Republikën Re. Ky farë burri, pa din e iman, meriton jo vetëm që të mos i jepet asnjë votë, por, gjithashtu, edhe dënim për shpifjet e tij për shkak të detyrës.
Demaskimi i këtij paraziti ekzemplar të jetës publike është një detyrim ndaj të gjithë atyre qytetarëve që njësoj si ne, kur nuk e njohin se çfarë marifetçiu i paskrupullt është, mund të bien pre e shpellës së errët të gojës së tij të ligë. /tvklan.al