
Foto/ Dy shqiptarë kapen me 4 kg kokainë dhe 18 mijë Euro
Policia italiane ka sekuestruar një sasi të konsiderueshme kokaine, e cila dyshohet se u përket dy shqiptarëve.
Ilir Limushaj 32 vjeç dhe Denald Bibaj 20 vjeç ishin në paraburgim pasi u kapën me dokumente ta parregullta për të qëndruar në Itali. Në stacionin e policisë ata u vizituan nga një vajzë rumune 22 vjeç. Stafi mbikëqyrës vuri re se njëri prej dy shqiptarëve i dha fshehurazi rumunes disa çelësa, e cila më pas u largua menjëherë. Ky veprim ngjalli dyshime tek policia, e cila ndoqi 22-vjeçaren për të zbuluar se ku do të shkonte. Vajza iu drejtua një apartamenti dhe gjatë përpjekjes për të gjetur çelësin e duhur të derës, ndërhyri menjëherë policia. Nga kontrolli në banesë u zbuluan 7 pako me drogë, që rezultuan të ishin 4 kg kokainë. Gjithashtu, në raftet e kuzhinës u gjetën të fshehura një shumë parash prej 18 mijë Euro. Autoritetet italiane dyshojnë se droga u përket dy shqiptarëve, që ishin ndaluar më herë për emigracion të paligjshëm./tvklan.al

