Dhunimi i të riut rrit tensionet PS-LSI
Dhunimi i një të riu në fshatin Zharrëz të Fierit ka tensionuar edhe më shumë marrëdhëniet mes dy ish - aleatëve, Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim.
Në një postim në Facebook, kandidatja e LSI-së për deputete, Erisa Xhixho akuzoi se një anëtar i Partisë Socialiste kishte dhunuar një të ri, vetëm sepse kishte thënë se do të votonte për LSI-në. “Ky është Orgest Grembi, maturant në Zharrëz i cili ka vendosur të votojë LSI, për një drejtim të ri për Shqipërinë. Por sot ai është dhunuar dhe goditur pikërisht nga një anëtar i Partisë Socialiste, me precedentë penalë, pikërisht sepse ka pohuar se është një votues i LSI-së”
, shkroi Xhixho në Facebook. Pak më vonë, Lëvizja Socialiste për Integrim tha se ish-kryetari i partisë dhe Presidenti i zgjedhur, Ilir Meta, ishte nisur drejt Fierit për të vizituar maturantin e plagosur në Zharrës. I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i Partisë Socialiste, e cila me anë të Gramoz Ruçit tha se distancohet hapur dhe qartë nga çdo rast dhune. Ai më tej aludoi se incidenti kishte qenë për një vijë uji dhe nuk ishte mirë të politizohej./tvklan.al