Reagojnë N/kryetarët e PD: Statuti i partisë nuk është shkelur


Reagojnë N/kryetarët e PD: Statuti i partisë nuk është shkelur

17:16 29/06/2017

Dy nënkryetarët e Partisë Demokratike, Edi Paloka dhe Edmond Spaho, në një deklaratë të përbashkët të shpërndarë për mediat, theksojnë se statuti i partisë nuk është shkelur, as në rastin e kalimit të kompetencave nga Basha tek ata, as në përcaktimin e datës së zgjedhjeve.

Për të mbështetur këtë deklaratë, Paloka dhe Spaho citojnë Nenin 43, pika 1 dhe 2 për nënkryetarët e partisë ku thuhet se; 

"Partia Demokratike ka dy nënkryetarë, të cilët në mungesë të zgjatur të Kryetarit dhe me autorizimin e tij, njëri prej tyre zëvendëson kryetarin. Në mungesë të këtij autorizimi, siç është rasti kur ai ka dhënë dorëheqjen, sekretari i përgjithshëm mbledh Këshillin Kombëtar, i cili komandon nënkryetarin që do të drejtojë Partinë deri në vendimin përfundimtar të Kuvendit Kombëtar".

Në këtë mënyrë, dy nënkryetarët e PD hedhin poshtë pretendimet e Sekretarit të Përgjithshëm Arben Ristani, i cili më herët deklaroi se vendimi i Bashës për t'ia deleguar kompetencat dy nënkryetarëve është në shkelje të statutit dhe se kjo kompetencë i takon Këshillit Kombëtar.

Ristani tha gjithashtu se edhe vendimi i dy nënkryetarëve për të thirrur zgjedhjet, caktimin e datës së zgjedhjeve dhe datës së paraqitjes së kandidaturave është vendimi pa mbështetur në statut. 

Por edhe në këtë rast, Paloka dhe Spaho hedhin poshtë pretendimet e Ristanit, duke sjellë në vëmendje nenin 58, për afatin e zgjedhjeve, në të cilin thuhet se të gjitha organet e partisë duhet t'u nënshtrohen zgjedhjeve të paktën çdo 4 vjet.

"Zgjedhje e fundit për kryetarin e partisë janë zhvilluar më 22 korrik 2013,. vendimi për mbajtjen e zgjedhjeve respekton ëktë afat fundor për kryerjen e zgjedhjeve të radhës më 22 Korrrik 2017".

Në reagimin e tyre, nënkryetarët e PD theksojnë gjithashtu se zgjedhjet për kryetar janë të hapura dhe çdo anëtar i kësaj force politike ka të drejtë të kandidojë./tvklan.al






Të ngjashme