Berisha shpjegon pse nuk e uron Ramën për fitoren
Ish-kryeministri dhe lideri historik i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka shpjeguar sot arsyet pse nuk e uron kryeministrin Rama për fitoren në zgjedhjet parlamentare të së dielës.
Në përgjigje të një komentuesit, Berisha shkruan: “Unë nuk e kam uruar Ramën...
Së pari, sepse fitoren e tij e ndëshkuan me votë ose me bojkot 78% e shqiptarëve. Kjo nuk është fitore e bekuar, por është e përçmuar nga 54% e shqiptareve, që zgjodhën bojkotin për të shprehur zemërimin dhe për të votuar kundër tij. Po t'u shtosh këtyre edhe 48% te atyre që shkuan tek kutitë e votimit dhe votuan kundër tij, del se kjo është fitorja më e gjymtuar që kur është votuar për here të parë në zgjedhje pluraliste në Shqipëri.
Pra, a mund te uroj unë qeverisjen e 4/5 te shqiptareve nga 1/5 e tyre?! Kurrë jo. Natyrisht ka dhe një seri shkaqesh të tjera të njohura botërisht, por, unë e di se si ithtar i pakorrigjueshëm i Ramës, ti nuk i pranon ato (miq, Trendy (Alb) ndërhyn shpesh në rrjetin tonë me komentet e tij në mbrojtje të Ramës por në tërësi ruan etiken), ndaj dhe unë të rendita vetëm njërin që nuk besoj se mund të kundërshtosh. Me respekt, sb!
” Kryeministri Rama dhe Partia Socialiste fituan 74 mandate nga 140 në Kuvend, në zgjedhjet e së dielës, çka i jep mundësinë të krijojë qeverinë pa nevojën e koalicioneve. Partia Demokratike, në krahun tjetër, arriti rekordin historik të vetëm 43 mandateve në parlament./tvklan.al