Lulzim Basha sulmon Veliajn: Po shkatërron lulishten që ndërtova unë si kryebashkiak
Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka reaguar në Facebook për protestën e banorëve të Tiranës tek lulishtja pranë ish-parkut të autobusëve.
Basha shkruan se lulishtja ishte investim i tij kur drejtonte Bashkinë e Tiranës dhe tashmë do të betonizohet.
“Lulishtja pranë parkut të autobuzave ishte një nga investimet e mia si kryebashkiak në shërbim të qytetarëve të një prej zonave më të populluara të Tiranës. Erjon Veliaj, vegël e bindur në duart e oligarkisë që sundon vendin, e shkatërroi këto ditë lulishten dhe lejoi betonizimin e saj në favor të Besnik Sulajt, klientit të rëndësishëm të Edi Ramës.
Qytetarëve të revoltuar ata iu përgjigjën dje me dhunën e policisë. Edhe më i rëndë qe dhunimi i të drejtave të qytetarëve nga mediat kryesore të vendit të kontrolluara nga oligarkia, të cilat e fshehën protestën dhe dhunën e policisë.
Ndërkohë, Shqipëria po përjeton këto ditë mungesë dritash dhe uji sepse paratë publike u përdorën për të manipuluar votën dhe jo për të blerë energji për njerëzit.
Pushteti oligarkik herët a vonë degjeneron në pushtet të dhunës dhe të errësirës. Përballja me të është sot sfida kryesore e opozitës dhe e të gjithë njerëzve të ndershëm për të ndalur rrënimin e qyteteve, të ekonomisë dhe të ardhmes tonë”, shkruan Lulzim Basha në Facebook. /tvklan.al