
Çmimet e biletave të avionëve do të ulen, Kryeministri zbulon kur dhe si
Në komunikimin e tij javor, Kryeministri Edi Rama foli për turizmin dhe punën për 4 vitet e ardhshme në këtë sektor. Teksa renditi disa shifra, Rama tha se ndonëse të larta në krahasim me vitet e mëparshme, ato janë qesharake sa i përket potencialit që ka vendi ynë.
Kryeministri u shpreh i bindur se ndërtimi i aeroporit të ri në Vlorë dhe atij në Sarandë, sëbashku me linjën ajrore shqiptare do të bëjnë që jo vetëm të sjellin më shumë të ardhura, por njëkohësisht të ulin çmimet aktuale të biletave.
“Fluturimet çarter arritën në 116 gjatë verës së shkuar. Krahasuar me 60, të një viti më parë, përbëjnë një rritje me 100 përqind. Kjo është një shifër qesharake, krahasuar me potencialin e Shqipërisë, por ama kam bindjen e plotë se ndërtimi 4 vitet e ardhshme i aeroportit të ri kombëtar të Vlorës dhe i aeroportit të ri turistik në Sarandë, së bashku me ngritjen së shpejti dhe me rritjen e qëndrueshme vit pas vit të linjës ajrore shqiptare, është rruga e duhur për t’i shumëfishuar fluturimet turistike në Shqipëri, si dhe për të ulur përmes një konkurrence të shëndetshme, tarifat e papranueshme të aeroportit të Rinasit. Dhe po ashtu çmimet shumë të ekzagjeruara të biletave të avionëve që ulen në vendin tonë dhe për të cilat të gjithë qyetarët ankohen”.
Për Kryeministrin, edhe zgjerimi dhe ndërtimi i porteve të reja turistike do të jenë një prioritet për turizmin në Shqipëri.
“Nëse kroçerat dhe jahtet që u ankoruan në Shqipëri gjatë vitit 2016 ishin 923 nga 713 më parë, edhe kjo shifër mbetet një shifër qesharake për potencialin e jashtëzakonshëm të vendit tonë. Prandaj zgjerimi i portit ekzistues të Vlorës dhe rindërtimi i porteve të reja turistike nga Velipoja në Sarandë do të jetë një tjetër prioritet në rrugën tonë për turizmin në Shqipërinë që duam.”
Kryeministri tha gjithashtu se Rruga e Arbrit,
“që nis më në fund brenda kësaj vjeshte si projekti i parë i programit 1 mld për rindërtim do të krijojë kushte që në hartën e turizmit rural të hyjë edhe zona e Dibrës që afrohet shumë me Tiranën”.
/tvklan.al