Të dashuruar pas të njëjtës vajzë, thikë në zemër adoleshentit shqiptar
Milano/ Një 17 – vjeçar shqiptar po lufton me vdekjen pasi u godit me thikë nga një djalë pak më i madh në moshë, rivali i tij në dashuri.
Thika, sipas mediave italiane, i ka prekur të riut mushkërinë dhe jeta e tij qëndron e varur në një fije peri.
Autor i kësaj ngjarjeje të rëndë është 19 – vjeçari Simone Maddaluno, i cili akuzohet tashmë për tentativë vrasje.
Përplasja e parë e rëndë mes tyre kishte ndodhur të dielën në mbrëmje në një diskotekë në Broni. Ata ishin kapur fizikisht, megjithatë në fund gjithçka dukej se ishte zgjidhur.
“Kjo nuk ishte hera e parë që përplaseshin fizikisht me njeri – tjetrin, por nuk mendonim se do të shkonin kaq larg. Ndoshta Simone ishte i dëshpëruar
“, thonë miqtë e tyre.
Siç shkruan “
Corriere della Sera”
të hënën pasdite, dy të rinjtë, të cilët kanë të njëjtin rreth shoqëror, janë përplasur sërish.
Sipas karabinierëve në Pavia, paraprakisht dyshohet se Simone është provokuar nga i riu shqiptar, që ka bërë që italiani ta ndjekë atë nga pas dhe kur ka gjetur një vend ku nuk e shihte njeri e ka goditur 17 – vjeçarin me thikë në kraharor.
Kanë qenë banorët e zonës, të cilët të alarmuar nga ulërimat kanë njoftuar shërbimet e emergjencës.
Adoleshenti shqiptar, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur, mësohet se i është nënshtruar një ndërhyrje delikate kirurgjikale, në përpjekje për t’i shpëtuar atij jetën. Ndërsa 19 – vjeçari është shoqëruar në polici./tvklan.al