Patozi: Lulzim Basha është gabim njerëzor në krye të PD, do ta rregullojmë


Patozi: Lulzim Basha është gabim njerëzor në krye të PD, do ta rregullojmë

17:56 05/07/2017 https://youtu.be/40ESl7Ef4dI

Ish-nënkryetari i Partisë Demokratike Astrit Patozi e ka quajtur Lulzim Bashën një gabim njerëzor që është në krye të partisë.

I ftuar në studion e ABC News, Astrit Patozi ka thënë se ai vet, Sali Berisha dhe demokratët kanë bërë gabim që i besuan drejtimin e partisë 4 vite më parë Lulzim Bashës.

Sipas tij, gabimi njerëzor i tyre që kanë bërë me Lulzim Bashën zgjidhet me një tjetër veprim njerëzor.

“Nuk e pranoj dot që kryetari i partisë time konsiderohet si fatkeqësi natyrore. Lulzim Basha është një gabim njerëzor, pjesë e të cilit ndoshta jam dhe unë por me një peshë të caltuar. Është gabim i Sali Berishës, i imi dhe demokratëve. Çdo gabim njerëzor ndreqet me një tjetër vendim njerëzor. Lulzim Basha nuk mund të jetë sot edhe shkaktari edhe njeriu që na ngre ne. Shkaktari i humbjes nuk mund të jetë më prijësi shpresës drejt fitores. Unë po të isha si ai do e kisha problem që të isha edhe anëtar i Partisë Demokratike. Unë Lulzim Bashën për Mbret nuk e pranoj, e kam pranuar për kryetar partie dhe e kam mbështetur. Mirë kam bërë që e kam mbështetur”

, ka thënë Patozi.

Sa i përket rolit të Sali Berishës në këtë situatë, ish-nënkryetari i PD u shpreh se Berisha do të marrë vendimin e duhur.

“Sali Berisha nuk ka heshtur, ka pasur një deklarim që as i shtoj dot dhe as i heq. Nëse duam që të merremi me shtjellimin e tij, Sali Berisha sugjeronte demokratët. Sot të gjitha sugjerimet e Sali Berishës janë në koshin e plehrave me vendimin arbitrar të Lulzim Bashës. Sali Berisha është njeri i lirë dhe me të gjitha atributet që i takojnë. As nuk më shkon në mend t’i them Sali Berishës çfarë duhet të bëjë sepse jam shumë i bindur që do marri vendimin e duhur”

, deklaroi Patozi.

Patozi ka konfirmuar edhe takimin që pati dje me ish-Kryeministrin Berisha.

“Unë e kam takuar dje zotin Berisha, por ky nuk qe as takim i fshehtë por as zyrtar. Unë mund të them se jemi takuar si dy demokratë që janë të shqetësuar për traumën që ka përjetuar PD gjatë zgjedhje dhe për më tepër këtë që ka ndodhur pas humbjes. 

Berisha e lexon më mirë nga të gjithë rezultatin traumatik të PD-së. Por meqë ju doni një fjali konkrete nga takimi, ju them se jemi ndarë pa asnjë keqkuptim nga takimi”,

u shpreh Patozi. 

Për Astrit Patozin, Basha kërkon me ngulm që të qëndrojë në krye të Partisë Demokratike për interesat ekonomike që ai ka.

“Ka interesa ekonomike që mbajnë të mbërthyer z.Basha. Ai duhet ta ketë të lidhur me familjarë vendimmarrjen. Përsa kohë nuk është performanca ajo që përcakton të ardhmen apo të shkuarën e një politikani në PD dhe z.Basha sapo e tregoi me listën e tij personale, atëherë unë kam gjithë të drejtën e botës të mendoj që këtu janë interesa personale dhe që kanë të bëjnë me…ai mund të jetë i vetëkapur, mund t’i pëlqejë që ndodhet në shoqërinë e tyre.

Një nga arsyet që PD nuk mund ta mbajë më për kryetar z.Basha është fakti se z.Basha tani pas kësaj humbje është një gjë shumë e lehtë për t’u mundur nga z.Rama. Unë po e them me shumë përgjegjësi që kam dëshmi nga disa drejtues të mediave të Tiranës, mediave kryesore të Tiranës, të cilët kanë marrë shqetësimin e z.Rama që mos e godisni aq shumë se e keni vënë përpara se nuk është djalë i keq”

, tha Patozi. 

/tvklan.al






Të ngjashme