Vrasja e Gazmend Çollakut dëshmon i akuzuari Denis Shtraza
Denis Shtraza i akuzuari si një nga personat që rrëmbyen dhe më pas vranë Gazmend Çollakun, 6 Janarit e 2016 ka dhënë dëshminë e tij në Gjykatën e Krimeve të Rënda. 33 – vjeçari ka mohuar lidhjet me krimin duke dhënë një tjetër version të marrëdhënieve të tij me viktimën.
Shtraza ka sqaruar se e ka njohur Çollakun në burg në vitin 2008, ku edhe kanë mbajtur ramazan sëbashku. Pas daljes nga burgu i kam dërguar shpesh cigare në qeli vazhdoi i akuzuari.
I riu nga Durrësi ka shpjeguar se pasi Çollaku ka dalë nga burgu janë takuar disa herë dhe kanë pirë kafe. Ditën e rrëmbimit të 36 – vjeçarit i pandehuri i tha gjykatës se ka qenë në Tiranë nën shoqërinë e një vajze me emrin Marsela.
Pasi ka qëndruar gjithë pasditen me të në darkë i ka kërkuar, Ervin Dalipajt ta dërgojë në Durrës pasi kishte ardhur pa makinë. Shtraza nuk pranoi t’i japë të plota gjeneralitetet e vajzës me argumentin se kishte frikë se do ta pësojë si miku i tij Ervin Dalipaj. Ish – oficeri i policisë u vra në një atentat në Sukth sëbashku me Juxhin Dautaj.
Ai tregoi se ishte në shtëpinë e vajzës kur mori vesh se Çollaku ishte rrëmbyer.
Denis Shtraza mohoi që Gazmend Çollaku ta ketë plagosur në 2008. Sipas tij, këtë e kanë kryer persona të tjerë që janë dënuar nga gjykata e Durrësit.
Në këtë seancë janë lexuar dhe deklarimet e Ervin Dalipajt të dhëna në polici pas shoqërimit të tij. Në bazë të këtyre deklarimeve, natën e krimit Dalipaj ka qenë në Tiranë në zonën e 21 Dhjetorit dhe “Tregut Elektrik”. Më pas ka shoqëruar në Durrës me mjetin e tij Denis Shtrazën.
Tv Klan