SHBA dhe Kanada nën kërcënimin e zjarreve
Temperaturat e larta dhe thatësira në perëndim të Amerikës së Veriut kanë ushqyer zjarret në SHBA dhe Kanada, duke sjellë evakuimin e mijëra njerëzve që rrezikohen nga flakët.
Në Kaliforni, rreth 5 mijë zjarrfikës po luftojnë me 14 vatra të mëdha zjarri.
Të paktën 8 mijë persona janë evakuuar, si pasojë e zjarrit më të madh që ka prekur perëndimin në këto 100 vitet e fundit.
Zjarri rrezikon qindra shtëpi në Santa Barbara, ndërkohe që ka shkrumbuar disa struktura. Që nga e shtuna, në Kaliforni mbi 30 mijë hektar pyje dhe parqe janë përfshirë nga flakët.
E njëjta situatë edhe në Kanada. 7 mijë persona u evakuan në shtetin British Columbia nga zjarri që kërcënon shtëpitë e tyre. Deri tani më shumë se 15 mijë hektarë tokë është djegur.
Vetëm gjatë të dielës, u aktivizuan 138 vatra të reja zjarri duke detyruar autoritetet të shpallin gjendjen e jashtëzakonshme. Hera e fundit kur British Columbia është përballur me një situatë të tillë ishte në 2003.
Tv Klan