Digjet makina e oficerit të Policisë së Krujës
Dy javë pasi persona të panjohur hodhën në erë makinën e oficerit të policisë së komisariatit të Krujës Trim Murati, në rrethana ende të panjohura, gjatë orëve të natës, është djegur një tjetër veturë e tij.
Ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit, në rrugën “Kastriotët”, kur Murati ka vënë re se vetura “Opel Forntera”, në pronësi të tij, kishte marrë flakë. Automjeti ishte parkuar në oborrin e shtëpisë së Muratit, jo shumë larg vendit ku dy javë më parë një tjetër makinë në pronësi të tij iu vendos eksploziv. Nga kqyrja e kryer nga oficerët e policisë është vënë re se zjarri është vënë në pjesën e pasme të automjetit. Sipas burimeve të policisë autorët kanë hedhur një objekt të fortë që ka thyer xhamin e pasmë të veturës, ç’ka ka bërë që ajo të merrte flakë. Me 23 qershor të këtij viti, persona të paidentifikuar hodhën një sasi eksplozivi në veturën “Merecedez- Benz”, të Muratit, duke dëmtuar pjesën e përparme. Trim Murati 40 vjeç, punon si oficer i policisë në seksionin e Krimeve të Rënda në Policinë e Krujës. Ai por edhe të afërm të tij të pyetur nga policia thanë se nuk kanë konflikte me njeri. Oficeri i Policisë u ka pohuar kolegëve se dyshon se ngjarja mund të ketë lidhje me aksionet kundër kanabisit në zonën e Krujës. Policia po heton të dy ngjarjet edhe në pista të ndonjë konflikti personal të oficerit Murati. TV KLAN