
Vidhnin energjinë elektrike, shoqërohen në polici 10 biznesmenë
Miti i të “fortëve” ndaj shtetit po thyhet me forcimin e masave ndaj debitorëve dhe procedimet në polici të vjedhësve të energjisë elektrike në rajonin Shkodër, ku përfshihet Lezha, Shëngjini dhe Puka.
Vetëm në 5 ditë aksione, duke nisur nga Shëngjini, Lezha dhe fshatrat përreth, pastaj në Velipojë dhe brenda në Shkodër, janë proceduar në polici të paktën 10 raste abonentësh privatë, të cilët kishin ndërhyrë në matës, duke paguar deri ne 65% më pak energji elektrike nga sa konsumonin.
OSHEE tha në një njoftim për shtyp se tre subjekte private në fushën e hotelerisë në zonën e Velipojë kanë përfunduar në polici, për shkak të “manovrave” që kishin bërë më matësin.
Të tjerë biznesmenë, përfshirë pronarë kalçetosh, supermarketesh dhe një pronar lavatriçeje zhavorri nuk i kanë shpëtuar kontrolleve të Task Forcës Shkodër, në Shëngjin, Zadrimë etj.
Edhe pse në fokus të kontrolleve kanë qenë bizneset, gjatë aksioneve, probleme me ligjin kanë patur edhe abonentët familjarë, për cenim të matësit, apo lidhje të paligjshme.
Aksioni po vijon ende ku priten të tjera shoqërime në polici./tvklan.al