Xhelozia për ish – gruan shtyu 60 – vjeçarin të ekzekutonte shqiptarin në Itali


Xhelozia për ish – gruan shtyu 60 – vjeçarin të ekzekutonte shqiptarin në Itali

15:25 19/07/2017

E pritën në portin e Barit, aty ku Kujtim Beli, 60 - vjeç kishte parkuar makinën pasi kishte mbërritur nga Tirana, më 10 Korrik, përpara se të mbërrinte në Terni me tren.

Pasditen e së martës, autori i dyshuar i vrasjes së Demir Hysenit, muratorit 49 - vjeçar, i cili u qëllua për vdekje poshtë shtëpisë pak para orës 7 të mëngjesit, u ndalua nga karabinierët e Barit, ndërkohë që po bëhej gati për t'u rikthyer në Shqipëri.

Falë hetimeve efektive dhe veprimeve të shpejta, 60 - vjeçari u arrestua brenda pak orëve nga autoritetet e vendit fqinj dhe tashmë ndodhet në burg.

Rindërtimi i ngjarjes

Më 10 Korrik, Kujtim Beli erdhi me automjetin e tij me traget në Bari, e parkoi dhe u nis me tren për në Terni, ku dhe besohet se qëndroi gjatë këtyre ditëve, fakt ky që pritet të sqarohet nga hetuesit. Por një gjë është e sigurt, një natë para krimit kishte biseduar në telefon dhe ishte takuar me viktimën dhe mes të dyve kishte patur edhe një diskutim.

Pasi vrau Demir Hysenin me një pistoletë gjysmë automatike kalibri 7.65 të blerë jashtë vendit, Beli e hodhi atë në një kosh plehrash pranë një supermarketi të zonës.

Të paktën dy plumba i morën jetën 49 - vjeçarit, i cili u përpoq të mbrohej, madje duke përdorur edhe një thikë buke që mbante në kontenierin ku kishte ushqimin e drekës.

Beli u nis në këmbë drejt stacionit të Ternit, për të marrë trenin e parë për në Ancona dhe për të vijuar më pas në Bari.

Ndërkohë rrugës ndërroi veshjen, edhe bluzën blu të cilën mbante veshur kur kreu krimin, me të cilën e panë edhe dëshmitarë të shumtë, e cila ishte gjakosur gjatë përleshjes. 60 - vjeçari mësohet se i futi rrobat e përdorura në një qese dhe i kishte ende me vete kur u ndalua nga karabinierët në Bari.

Dëshmitë e shumta pas krimit, bënë që hetuesit të përgjonin telefonin e 60 - vjeçarit, duke monitoruar lëvizjet e tij. Gjatë mesditës, autoritetet gjetën vendndodhjen e makinës dhe qëndruan në pritje.

Pas disa orësh, ai mbërriti i shoqëruar nga një tjetër person, një italian, që sipas hetimeve të deritanishme rezulton se po planifikonte t'i shiste automjetin, përpara se të nisej për në Shqipëri, në përpjekje për të hequr qafe një prej elementëve më të rëndësishëm të hetimit.

60 - vjeçari, i cili ka jetuar në Terni nga 2013 deri në 2015 -ën me ish - bashkëshorten e tij shqiptare, ka mbi supe një denoncim nga kjo e fundit për keqtrajtim. Për një periudhë, pas kohës së kaluar në Terni ku Beli punonte herë pas here si punëtor krahu, dyshja u zhvendos në Gjermani. Pas kësaj ata u ndanë.

[caption id="attachment_298378" align="aligncenter" width="552"]

Kujtim Beli, autori

[/caption]

Motivi

Ajo që duket se çoi në veprimin ekstrem për t'i marrë jetën Demir Hysenit, ka qenë xhelozia e Kujtim Belit për ish - gruan dhe lidhjen që kjo e fundit dyshohet se kishte patur me Hysenin në 2013 -ën.

Fakt ky, që sipas mediave italiane, ka përshkallëzuar raportin mes viktimës dhe autorit, konflikt që kishte nisur që në atë kohë.

Një moment që u rikthye në Terni, 60 - vjeçari kishte rikontaktuar ish - mikun e tij për t'i kërkuar që t'i gjente punë. Megjithatë, ky fakt vihet në diskutim pasi lënia e makinës në Bari është një e dhënë se arsyeja përse kishte vajtur në Terni ishte për të mbyllur hesapet me 49 - vjeçarin.

Të gjitha këto detaje të përcjella këtë të mërkurë nga mediat italiane, mbeten për t'u konfirmuar zyrtarisht, pas dëshmisë që Kujtim Beli do të japë përpara gjykatës.

Ndërkohë, në një konferencë për shtyp të mërkurën, komandanti i karabinierëve të Ternit, Giovanni Capasso theksoi se

"bashkëpunimi i madh i ofruar nga qytetarët dhe ai mes të gjitha reparteve çoi në zgjidhjen e shpejtë të një rasti të rëndë që shkaktoi alarm e frikë. Kjo është një formë sigurie e përbashkët dhe një shembull i shkëlqyer."

/tvklan.al





Të ngjashme