Këngëtarët e “Despacito” sulmojnë Presidentin e Venezuelës
Këngëtarët e hitit botëror “Despacito” kanë sulmuar Presidentin e Venezuelës, duke e akuzuar se po përdor këngën e tyre për përfitime politike.
Presidenti Nicolas Maduro paraqiti një version të ndryshuar të këngës gjatë shfaqjes së tij javore në televizion ditën e dielë. Teksti i këngës më të dëgjuar për momentin ishte përpunuar, duke promovuar planet e tij për krijimin e një asambleje qytetare. Këngëtarët Luis Fonsi dhe Daddy Yankee shprehën zemërim për këtë rast.“Nuk jam pyetur dhe nuk kam autorizuar ndryshimin e tekstit të Despacito për qëllime politike, dhe aq më pak në një situatë të tillë të mjerueshme që po përjeton Venezuela, vend që e dua kaq shumë. Muzika ime është për të gjithë ata që duan ta dëgjojnë dhe ta shijojnë dhe jo të përdoret si propagandë për të manipuluar vullnetin e një populli”,
shkruajti Luis Fonsi në rrjetet sociale. Kurse Daddy Yankee postoi në Instagram një foto të Presidentit Maduro me një kryq të madh mbi shpinën e tij.“Që ju përdorni një këngë në mënyrë të paligjshme, nuk krahasohet me krimet që keni bërë në Venezuelë. Regjimi juaj diktatorial është për të qeshur, jo vetëm për vëllezërit e mi venezuelianë, por për të gjithë botën”,
shkruajti Yankee. Kohët e fundit Venezuela është përfshirë nga protesta të dhunshme dhe rreth 100 veta kanë vdekur gjatë trazirave. Asambleja që kërkon të krijojë Presidenti Maduro do të ndryshojë Kushtetutën dhe do të anashkalojë kompetencat e opozitës. Kritikët thonë se Presidenti po përpiqet të vendosë diktaturën. Kurse vet Maduro thotë se kjo është një mënyrë për të risjellë paqen në Venezuelë. /tvklan.al