Çmimi i ujit/ LSI kundërsulmon, akuzon PD-në: U shitët për kreditë e shtëpive
Pas akuzave të kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha, ka reaguar deputeti i LSI Petrit Vasili për votimin në Këshillin Bashkiak të Tiranës për rritjen e çmimit të ujit.
Në një status në Facebook, Vasili shkruan se PD shkoi në mbledhjen e këshillit bashkiak, duke legjitimuar në këtë mënyrë rritjen e çmimit. Vasili i LSI thotë se këshilltarët e djathtë në Bashkinë e Tiranës u shitën për kreditë e shtëpive të miqve të tyre.
“Marrëveshja e turpit” e 18 majit, Basha-Rama, që shkatërroi zgjedhjet e 25 qershorit, vazhdoi edhe dje në bashkinë e Tiranës.
PD tundi dynjanë se gjoja nuk do të shkonte në mbledhje të këshillit bashkiak, ndërsa në realitet shkoi, sepse u shit për kreditë e shtëpive të miqve e klientëve dhe legjitimoi rritjen e çmimit të ujit dhe koncesionit të shkollave.
Çorba e gëlltitur në 18 maj nga PD dhe Basha, vazhdon të villet përditë duke dëmtuar rëndë interesat e qytetarëve të thjeshtë, siç u bë bashkëfajtore në blerjen dhe vjedhjen e votës edhe në 25 qershor”,
shkruan Petrit Vasili në Facebook.
Më herët Lulzim Basha akuzoi PDIU-në dhe LSI-në se ju bashkuan pazarave të Ramës dhe Veliajt duke votuar rritjen e çmimit të ujit.
/tvklan.al