Flet modelja 20-vjeçare që u mor peng dhe u nxorr në shitje në internet
Modelja britanike që u drogua dhe u rrëmbye për një javë në Itali, ka dhënë dëshminë për policinë pasi u shpëtua nga autoritetet.
Modelja 20-vjeçare ka treguar momentet e rrëmbimit të saj.
“Një person me dorashka të zeza erdhi prapa meje, me njërën dorë më kapi nga qafa dhe me tjetrën më bllokoi gojën që të mos bërtisja. Një person i dytë më bëri një injeksion në parakrahun e djathtë dhe humba ndjenjat. Kur u zgjova, isha e veshur me një kostum ngjyrë rozë dhe çorapet që kam të veshura tani. E kuptova që ndodhesha në bagazhin e një makine dhe kisha duart e këmbët të lidhura dhe gojën të mbyllur me ngjitës shirit.
Merrja frymë vetëm nga një vrimë e vogël”, tha 20-vjeçarja që u mbajt peng për një javë në Milano. Avokati i saj tha se ajo pati kurajo të madhe që u rikthye në vendin ku mbahej peng për të ndihmuar në hetimet e policisë.
Modelja britanike u rrëmbye gjatë muajit korrik nga një fotograf i rremë, i cili më pas e kishte nxjerrë në shitje në internet me një çmim 300 mijë dollarë. Autori ishte një 30-vjeçar polak i quajtur Lukasz Pawel Herba, i cili u arrestua nga policia, ndërsa në kërkim janë shpallur bashkëpunëtorët e tij.
/tvklan.al