Buxheti me sufiçit, nuk realizohen shpenzimet


Buxheti me sufiçit, nuk realizohen shpenzimet

14:55 20/08/2017

Edhe në fund të muajit të 7-të të këtij viti, buxheti i shtetit vazhdon që të rezultojë me sufiçit.

Shkak për këtë është bërë lëvrimi i pakët i fondeve të shpenzimeve, ku rrudhja më e madhe ka ardhur nga mungesa e financimeve në projektet infrastrukturore.

Parashikimet e bëra në buxhetin fillestar nga qeveria, ishin që deri në fund të këtij viti, buxheti i shtetit të arrinte një deficit në nivelin e 31.2 miliard lekëve, ose 280 milionë dollarëve.

Por ka ndodhur e kundërta, deri më sot arka e shtetit ka ende 25 milionë dollarë të pashpenzuara sipas planit, ndërsa 50 milionë mungojnë tek projektet e mëdha, të cilat japin impakt në ekonomi, siç janë projektet ne rrugë, shkolla dhe spitale.

Me aktin normativ të buxhetit, qeveria është e vendosur që të vazhdojë të njëjtën ecuri të shpenzimeve me synimin që të arrijë të ezaurojë të gjithë nivelin e deficitit që ka vendosur në buxhet.

Por në historikun e 3 buxheteve të fundit, financat nuk kanë arritur të shpenzojnë asnjëherë të gjithë shumën që kanë vendosur në dispozicion, duke ndryshuar buxhetin me akt normativ çdo fund dhjetori.

Nëse shpenzimet nuk realizohen, atëherë ligji i buxhetit do të ndryshojë edhe 2 herë të tjera. Struktura e re e qeverisë në shtator, do të sjellë një tjetër rishpërndarje të fondeve në ministritë që do të shkrihen dhe bashkohen./Tv Klan






Të ngjashme