Arrestohet 33-vjeçari që kërcënoi me SMS ish-ministren Lindita Nikolla
Një 33-vjeçar është arrestuar nga policia i akuzuar se ka kërcënuar me mesazhe ish-ministren e arsimit Lindita Nikolla. Ai është A. K i njohur edhe me emrin e dytë K. Z banues në Durrës.
I riu është vënë në pranga nga policia e këtij qyteti pasi Gjykata e Apelit e kishte dënuar në mars të këtij viti me 6 muaj burg duke e shpallur faktor për 2 akuza: kanosje për shkak të detyrës dhe Përdorimi me keqdashje thirrjeve telefonike. Sipas policisë A. K i ka dërguar disa mesazhe në telefon Nikollës në kohën që ajo drejtonte ministrinë e Arsimit, por edhe sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë, Plarent Ndreca.
Mesazhet e konsideruara kërcënuese janë dërguar gjatë muajit gusht 2014. Ai i kërkonte ministres të jepte dorëheqjen pasi në të kundërt do t’i shkonte me gurë dhe shishe me benzinë te Ministria nëse merrej vendim për rritjen e tarifave të studimit. Në një prej mesazheve të dërguara në whatsapp ai i ka dërguar ministres një foto me vajzën e saj. Në atë kohë A. K ishte student në një universitet privat tashmë të mbyllur. Në vendimin e gjykatës jepen detaje edhe për kërcënimet që i ishin dërguar edhe sekretarit të përgjithshëm Ndreca.
Mesazhi dërguar Sekretarit të Përgjithshëm të MAS Plarent Ndreca:
“Përshëndetje, jam studenti që folëm në drekë por edhe disa studentë të tjerë të Vitrinës, në pikën 3-5 të kontratës Vitrina pretendon se: “Pagesa e kthyer nuk kthehet më për asnjë arsye, por kjo interpretohet për arsye të studentit jo për arsye të Vitrinës, pra pengesë janë bërë ata me mashtrimet e tyre. Kërkojmë që të ndërhyni ju si ministri dhe të na kthejnë lekët për dy vitet e tjera që kena pagu. Respekte”.
Mesazhi dërguar ish-ministres së Arsimit Lindita Nikolla:
“Ne gur dhe me shishe benzinë do t’ju vijmë ke ministria nis rit tarifat….ne po presim dhe jemi gati për revolta, mështetje kena pa fund”.
/Tv Klan