Basha: Rama përgjegjës për largimin e shqiptarëve nga vendi


Basha: Rama përgjegjës për largimin e shqiptarëve nga vendi

16:15 26/08/2017

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha i është përgjigjur Kryeministrit Edi Rama pas deklaratave për shqiptarët që kërkojnë azil në vendet e Bashkimit Europian. Në një status në Facebook, kreu i demokratëve thotë se shqiptarët largohen nga vendi për shkak të varfërisë, drogës, krimit e korrupsionit në vend.

 Sipas Bashës, Kryeministri Edi Rama është përgjegjësi kryesor për largimin e shqiptarëve nga vendi.

 Statusi në Facebook i Lulzim Bashës:

Pse ikin shqiptarët; për këtë Rama nuk gjen kohë as të pyesë, dhe as të dëgjojë. 

Ky është një kryeministër që nuk e bren ndërgjegjia asnjë sekondë për faktin se braktisja e vendit është veprim i dëshpëruar nga mungesa e mundësive dhe e shpresës.

Shqiptarët ikin për të shpëtuar veten dhe fëmijët e tyre nga varfëria dhe injoranca; ikin për të shpëtuar nga droga dhe krimi që pasi pushtoi politikën, tani po pushton ekonominë duke u bërë kërcënim për pronën dhe jetën e çdokujt. Shqiptarët ikin nga vendi ku qeveria dhunon në mënyrë sistematike të pamundurit dhe të pambrojturit dhe favorizon e mbështet vetëm kriminelët dhe grabitqarët.

Rama vetë nuk është komentator, ai është në fakt përgjegjësi kryesor për eksodin masiv te shqiptarëve, për krimin e veshur me pushtet dhe për Shqipërinë e mbushur me drogë. Ndaj dita ditës po shtohen raportet dhe vendet europiane që tregojnë atë dhe qeverinë e tij me gisht për kanabizimin dhe kriminalizimin e vendit.

Vetëm të bashkuar dhe të vendosur për tu përballur me të keqen mund ta ndryshojme qeverisjen dhe jetën tonë. Shqipëria ka mundësi të mëdha për të gjithë, nëse qeveriset mirë.

/tvklan.al






Të ngjashme