Hetim pasurie për trafikantët e makinave
Policia nis hetimin e pasurisë për të ndaluarit me makina luksoze të trafikuara nga jashtë. Në mesin e muajit gusht vetëm në Tiranë, policia bllokoi 17 automjete të tilla, të markave të ndryshme, ndërsa 20 tjera u sekuestruan Elbasan Shkodër, Fier, Vlorë dhe Gjirokastër. Automjetet luksoze u bënë një indicie për hetuesit për të verifikuar të kaluarën dhe burimet e tyre financiare.
Tv Klan mëson se vetëm Policia e Tiranës ka referuar në prokurori mbi 12 raste të hetimit pasuror ndaj personave apo grupeve të dyshuara se kanë vënë pasuri me të ardhura nga aktivitetet kriminale. Përveç trafikimit të mjeteve motorike ata rezultojnë të përfshirë edhe në trafikimin e drogës dhe prostitucionit.
Pjesa më e madhe rasteve të denoncuara deri tani u përkasin elementëve të njohur të grupeve kriminale që veprojnë në Tiranë.
Burimet thanë se hetimi i trafikimit të automjeteve nga jashtë Shqipërisë ka zbuluar edhe veprimtari të tjera të jashtëligjshme të personave nën hetim.
Automjetet e vjedhura në Europë janë marrë përsipër nga këto grupe kriminale dhe më pas janë shitur në persona të tretë në vendin tonë me dokumentacion të falsifikuar. Referime në prokurori për hetimin e aseteve kriminale nga Policia e Shtetit janë kryer edhe në prokuroritë e rretheve të tjera gjyqësore të vendit. Aksioni u kërkua pak ditë më parë nga vetë drejtori i Policisë së Shtetit Haki Çako.
Tv Klan