Londër, arrestohet një 18-vjeçar për bombën në metro
Një ditë pas sulmit në metronë e Londrës, policia britanike arrestoi një 18-vjeçar i dyshuar për lidhje me ngjarjen. I riu u arrestua në qytezën portuale të Doverit, pranë kryeqytetit britanik.
Autoritetet britanike nuk japin detaje rreth identitetit të personit të arrestuar, apo nëse ai është i lidhur me Shtetin Islamik, por njoftuan se ndalimi i tij është i rëndësishëm për ngjarjen.
Gjithsesi hetimet vijojnë pasi nuk përjashtohet mundësia që vendosja e bombës artizanale në metronë e Londrës, mund të jetë kryer nga një celulë e organizuar terroriste.
30 persona mbetën të lënduar nga shpërthimi i një kove me lëndë eksplozive në stacionin Parsons Green. Sulmi u mor përsipër nga ISIS përmes një komunikate zyrtare.
Gjendja e alarmit në Britaninë e Madhe vijon të mbetet maksimale, edhe pas arrestimit të 18-vjeçarit. Kryeministrja Theresa May urdhëroi nivelin maksimal të sigurisë, atë kritik, pas alarmit nga shërbimet sekrete MI5 se mund të ketë edhe sulme të tjera. Ushtria doli në rrugët e Londrës në ndihmë të policisë./Tv Klan