Ishujt Karaibe pritet të goditen edhe nga uragani “Maria”
Një stuhi e fuqishme po shkon drejt ishujve Karaibe – më pak se dy javë pasi uragani Irma kaloi nëpër këtë rajon me efekt shkatërrues.
Parashikuesit e motit thanë se stuhia “Maria” është shndërruar në uragan dhe do të godasë ishujt Lliuord mbrëmjen e sotme.
Të dielën, “Maria” ka qenë rreth 445 kilometra larg ishujve Lliuord, me erëra deri në 120 kilometra në orë, tha Qendra Kombëtare e Uraganeve në SHBA.
Parashikuesit e motit thonë se “Maria” mund të arrijë gjatë ditës së sotme edhe ishujt Virgjine të Britanisë dhe SHBA-së, si dhe Puerto Rikon.
Uragani Irma ka shkaktuar dhjetëra të vdekur në Karaibe, si dhe në Florida dhe Xhorxhia të SHBA-së.
Një tjetër stuhi e fuqishme, uragani “Harvey”, ka goditur shtetin amerikan të Teksasit muajin e kaluar./REL