Tërmet 7.1 ballë, tronditet sërish Meksika


Tërmet 7.1 ballë, tronditet sërish Meksika

22:50 19/09/2017

Një tërmet i fuqishëm me magnitudë 7.1 tronditi kryeqytetin e Meksikës të martën. Nga raportimet e para flitet për dhjetëra viktima.

Guvernatori i shtetit Morelos, Graco Ramirez në një postim të Twitter tha se paraprakisht dyshohet se të paktën 42 persona kanë humbur jetën vetëm në këtë zonë.

Më herët, 2 viktima u raportuan në Puebla, ndërsa 2 të tjerë në Mexico.

Të dhënat janë paraprake dhe dyshohet se numri i viktimave mund të jetë shumë herë më i lartë.

Lëkundjet e forta bënë që njerëzit të dilnin të tmerruar në rrugë.

Deri më tani një ndërtesë raportohet të jetë shembur ndërsa fluturimet në kryeqytet janë pezulluar dhe ndërtesat përreth janë evakuuar.

Agjencia Sizmologjike e Meksikës tha paraprakisht se tërmeti ishte më magnitudë 7.1 dhe se qendra e tij ishte në lindje të qytetit Puebla.

Më herët gjatë këtij muaji, Meksika u trondit nga një tjetër tërmet me magnitudë 8.1 ku mbetën të vrarë të paktën 90 persona.

Lëkundjet vijnë në përvjetorin e tërmetit të vitit 1985, që shkaktoi dëme të mëdha në kryeqytetin meksikan./tvklan.al 






Të ngjashme