Kurti kritikon Ramën për çështjen e Demarkacionit
Ish – lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka folur me doza kritike për Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Ramën.
Në një postim në Facebook, Kurti tha se Rama po kërkon nga Haradinaj që të ndërrojë qëndrim për demarkacionin me Malin e Zi, kundër asaj që dëshmohet në harta në dokumente zyrtare, nga profesionistë ekspertë, në mbamendje institucionale, si dhe në kujtesë popullore e me peticion masiv qytetar.
“Por, ndërkohë që përparimet në këtë aspekt janë tepër të ngadalta, e më shpesh ceremoniale se sa përmbajtësore, ne dëgjuam se z. Rama po i kërkon z. Haradinaj, kryeministrit aktual të Kosovës, që të ndërrojë qëndrim për demarkacionin me Malin e Zi. Z. Rama pra po kërkon që, kundër asaj që dëshmohet në harta, në dokumente zyrtare, nga profesionistët ekspertë, në mbamendje institucionale, në kujtesë popullore dhe me peticionin masiv qytetar, të përkrahet një marrëveshje e padrejtë që ia heq Kosovës 8.200 ha. të territorit”,
shkruan Kurti në Facebook.
“Me 32 deputetët e saj tash Lëvizja VETËVENDOSJE! është partia më e madhe në vend e në Kuvend. Në mënyrën më meritore ne do të merremi me Marrëveshjen e Demarkacionit Kosovë-Mal i Zi. Nga kryeministri ynë Edi Rama presim që të merret me realizimin e marrëveshjeve Shqipëri-Kosovë. Dhe, po ashtu presim që ai të kontribuojë në lartësimin e social-demokracisë e të bashkimit të kombit. Nuk kemi kohë për të humbur e as tokë për të falur”./
klankosova