Rama pranon ekzistencën e bandave në Elbasan: Ai qytet duhet çliruar
Kryeministri Edi Rama ka folur për situatën e rënduar në qytetin e Elbasanit, ku mbrëmjen e 18 shtatorit një Audi i blinduar përplasi makinën e zv/drejtorit të Policisë së Elbasanit dhe u arratis.
Duke ju përgjigjur kryetarit të opozitës Lulzim Basha, Kryeministri Edi Rama pranoi se ekzistencën e bandave në Elbasan dhe tha se ka një operacion në lidhje me atë incident.
“Ne jemi në proces operacioni në Elbasan, ai operaicon nuk mbaron pa u vënë para përgjegjësisë të gjithë ata që janë të përfshirë, qofshin forca të policisë dhe qofshin forca të organizatave, jam dakord që ai qytet duhet çliruar. Por jo të gjitha do të bëhen publike sepse është një operacion në vazhdim”,
tha Kryeministri.
Rama përmendi gjithashtu edhe operacionin e policisë “Vjeshtë 2017” që po zhvillohet në të gjithë vendin, për sekuestrimin e makinave luksoze dhe pasurive kriminale të pajustifikuara.
“Beteja me krimin ka hyrë në një fazë të re. E kemi paralajmëruar dhe po e implementojmë. Jo vetëm atyre të fortëve me status të veçantë nuk do t’ju ndahemi, le të jenë kush të jenë, le të kenë lidhje me kë të kenë. Nëse janë pjesë e rrjeteve kriminale ne do na kenë këmba këmbës deri në vrimën e fundit. Por përveç atyre, vetëm sot janë miliona euro makina të shtrenjta të sekuestruar”,
u shpreh Kryeministri Edi Rama.
Duke ndjekur më vëmendje fjalën e Kryeministrit, kryedemokrati Basha tha se Rama ka frikë të përmendë togfjalëshin “organizata kriminale”, por e cilëson vetëm organizata.
“The organizatatat, thuaje organizatat kriminale! Kë ke frikë Kryeministër? Ke frikë ndonjërin në këtë sallë? Fajin e paska policia dhe pastaj organizatat the… organizatata kriminale! Llafe në ajër na the. Nuk the dot as togfjalëshin krim i organizuar në Elbasan”,
deklaroi kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha. /
tvklan.al